Mbaj një ditar në të cilin të mbash shënim gjithçka që ndodh. Nuk janë incidentet ato që kanë rëndësi por shpeshtësia, rregullsia dhe veçanërisht përsëritja e tyre që nxjerr në pah shenjat e dhunës psikologjike. Njësoj si me format e tjera të mashtrimit, edhe këtu rëndësi ka përsëritja (i njëjti avaz). Dhunuesi mund të nxjerrë justifikime për secilin incident por nuk mund të justifikojë motivin që përsëritet (këtu fjala motiv nënkupton diçka që përsëritet, p.sh. një motiv ornamental, dhe jo konceptin e qëllimit). Motivi zbulon qëllimin. Mbaje ditarin në një vend të sigurt, jo në punë ku të tjerët mund dhe patjetër që do ta vjedhin. Mbaje në shtëpi. Ruaj fotokopje të dokumenteve me rëndësi në një vend të sigurt (jo në punë). Jo rrallë, dhunuesi ka hapur sirtarët e shënjestrës pa leje, ka vjedhur ditarin për ta përdorur më pas si "provë" të sjelljes së keqe. Mbaj kopje të të gjitha letrave, emaileve, etj. Çdo provë duhet ta kesh me shkrim pasi më vonë dhunuesi do të mohojë gjithçka. Mbaj një bllok shënimesh me vete dhe regjistro çdo gjë që dhunuesi thotë ose bën. Gjithashtu mbaj shënim çdo komunikim që ke me kolegët, menaxherët dhe këdo tjetër që ka lidhje me dhunuesin. Supozo që do akuzohesh për "sjellje të parregullt", "mungesë profesionalizmi" dhe shumë gjëra të tjera kur ta bësh këtë gjë. Mbaj shënim çdo kritikë ose akuzë që bëhet ndaj teje. Kërkoja me shkrim dhe me gojë dhunuesit që të japë prova të pavarura dhe të verifikueshme me shkrim. Nëse dhunuesi nuk përgjigjet ose nuk sjell provat e kërkuara, shkruaji prapë duke kërkuar sqarime pse dhunuesi nuk është përgjigjur ose përmend faktin që dhunuesi nuk ka sjellë prova të pavarura dhe të verifikueshme. Në këtë të fundit përmend faktin që mos paraqitja e provave të pavarura dhe të verifikueshme për vërtetimin e një akuze quhet ngacmim (vepër penale). Kritikat dhe akuzat e dhunuesit psikologjik, të cilat zakonisht bazohen në shpifje, shtrembërime, etj, nuk janë gjë tjetër veçse mjete kontrolli. Mohimi është kudo. Personi që mbron të drejtën e tij për tu mos dhunuar psikologjikisht shpesh sinjalizon paaftësinë e dikujt tjetër (ajo që dhunuesi përpiqet të fshehë). Dhunuesi psikologjik do të mohojë gjithçka, po ashtu edhe superiorët e dhunuesit do të shohin gjithçka me mosbesim. Siç tregon edhe eksperienca e mijëra rasteve, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe kolegët e burimeve njerëzore, pasi ata tashmë janë përpunuar dhe bindur nga dhunuesi psikologjik se ti duhet të hiqesh qafe. Dhunuesi psikologjik serial vë në konflikt njerëzit me njëri tjetrin. Përpiqu që të bashkohesh me punëdhënësin kundër dhunuesit. Në mënyrë profesionale tregoju punonjësve të burimeve njerëzore se dhunuesi psikologjik serial po përpiqet të fusë në sherr punëdhënësin dhe punonjësin në një konflikt që nuk ka fitimtarë por vetëm humbës. Dhunuesi kënaqet kur i manipulon të tjerët dhe kur i shikon teksa shkatërrojnë njëri tjetrin. Nëse dhunuesi e kupton se po zbulohet, ai menjëherë do të braktisë punëdhënësin në mënyrë që të jetë punëdhënësi ai që do të mbajë përgjegjësinë e tij. Dhunuesi psikologjik e ka bërë më përpara dhe do ta bëjë sërish. Gjithashtu bëja të qartë personelit të burimeve njerëzore se dhunuesi psikologjik që ata njohin nuk është gjë tjetër veç se maja e ajsbergut nga veprimtaria negative e tij, në të cilën ka shumë gjasa që të përfshihen shpërdorime financiare, paaftësi menaxhimi parash, thyerje të rregullores, kodit të etikës, thyerje të rregullores së shëndetësisë, etj. Dhunuesit psikologjikë serialë janë mjeshtra të mashtrimit. Mos e nënvlerëso aftësinë e dhunuesit psikologjikë për të mashtruar. Kur të ballafaqohesh me personelin e burimeve njerëzore përqendrohu vetëm tek çështjet ligjore dhe financiare. Ndërto një rrjet mbështetësish. Dhunuesit psikologjikë i veçojnë dhe i izolojnë shënjestrat, madje ndonjëherë shkojnë deri aty sa të ndajnë edhe pjesëtarët e një familjeje mes tyre. Ka shumë gjasa që dhunuesi u a ka mbushur mendjen me kohë kolegëve të tjerë që të distancohen prej teje ose nëpërmjet fjalëve të bukura ose duke u kapur pas cenueshmërive të tyre ndërkohë që kërcënon vendin e tyre të punës. Mos u çudit nëse kolegët zhduken nga sytë këmbët. Arsyeja është këtu. (Sehirxhinjtë) Dikush mund të të këshillojë që të ngresh zërin për tu mbrojtur, por personi që e thotë këtë nuk e ka idenë se si duhet ta bësh këtë gjë. Në të vërtetë, sa më shumë që ta ngresh zërin aq më keq mund të shkojnë punët. Fol me një mjek. Dhuna psikologjike mund të shkaktojë stres të zgjatur negativ, gjë që mund të shkaktojë dëmtim psikiatrik. Dëmtimi psikiatrik nuk ka lidhje me sëmundjet mendore edhe pse të tjerët (përfshi edhe disa mjekë psikiatër) mund ta thonë këtë gjë. Ndryshimi mes sëmundjes mendore dhe dëmtimit psikiatrik është këtu. Nëse diagnostikohesh me stres, sigurohu që në diagnozën e mjekut të përfshihet dhe shkaku (p.sh. stres i shkaktuar në vendin e punës). Nëse diagnostikohesh me depresion, sigurohu që në diagnozë të shkruhet depresion reagues. Për të mësuar se si stresi i zgjatur negativ dëmton shëndetin tënd kliko këtu. Mos harro! Stresi nuk shkaktohet si rezultat i paaftësisë së punonjësit për tu përballur me ngarkesë të madhe pune por si rezultat i mungesës e një ambienti të sigurt pune ashtu siç përcaktohet në ligj. Informohu rreth stresit post traumatik. Stresi post traumatik është diagnoza e një sërë simptomash të dëmtimit psikiatrik të shkaktuar nga dhuna psikologjike. Nëse ke si qëllim shpërblimin për dëmtimin psikiatrik të shkaktuar nga dhuna psikologjike, studioje mirë kodin e punës të Republikës së Shqipërisë dhe ligjet të tjera që kanë lidhje me këtë çështje. Kontakto me mjek psikiatër, avokatë ose të tjerë njerëz që mendon se mund të të ndihmojnë. Bëhu pjesë e forumit të dhunës psikologjike që ndodhet në këtë faqe dhe fol për eksperiencat e tua. Çoje çështjen tënde tek instancat më të larta të institucionit ose kompanisë ku punon. Ki parasysh faktin se shpesh instanca më e lartë është vetë dhunuesi psikologjik ose administrata e mbështet dhunuesin psikologjik. Shpesh dhuna psikologjike ushtrohet në hierarki dhe vjen nga lart poshtë. Përpiqu të sigurosh sa më shumë dokumente dhe informacion që ka lidhje me punën tënde në kompani. Tregohu specifik duke përfshirë edhe emrat e atyre personave që mund të kenë shkruar diçka rreth teje, data, tema diskutimi, vende, etj. Bëj kopje të emaileve dhe dokumenteve të tjera. Nëse i kërkon kompanisë dokumente dhe ajo nuk i përgjigjet kërkesës tënde me shkrim, përgjigjen e tyre apo edhe mos përgjigjen duhet ta regjistrosh si provë. Shpesh shënjestrat e dhunës psikologjike u duhet që t'i edukojnë mbështetësit e tyre. Shpjegojua atyre informacionin që ndodhet tek kjo faqe. Jepu atyre adresën që të mund ta lexojnë vetë. Nëse mendon se mund të shkarkohesh pa të drejtë, ti mund të shpiesh çështjen në gjyq për të evituar shkarkimin. Sqaroji familjarët e tu që simptomat e tua vijnë si pasojë e dëmtimit psikiatrik dhe me kalimin e kohës do të përmirësohesh. Nxiti ata që ke pranë që të informohen më shumë rreth Çrregullimit Post Traumatik. Nëse dhunuesi psikologjik të ka detyruar që të marrësh leje për shkak të stresit, ankthit, etj, ndërsa punëdhënësi të detyron që të kthehesh në punë, shkruaji një letër punëdhënësit duke e sqaruar se mungesa jote vjen për shkak të simptomave të dëmtimit psikiatrik si pasojë e stresit të shkaktuar nga sjellja e papërshtatshme prej të tjerëve dhe e kushteve jo të mira të punës, dhe se ti pret me padurim kthimin në vendin e punës. Kërkoji punëdhënësit tënd që të të sigurojë me shkrim se kërkesa jote për një ambient dhe sistem të shëndetshëm pune do të plotësohet në bazë të kodit të punës. Tregoi punëdhënësit tënd që dëmtimi yt psikiatrik (dhe shëndeti i dobët i të tjerëve) vjen si pasojë e dhunës psikologjike të ushtruar nga një punonjës tjetër dhe se sjellja e këtij punonjësi është rrezik për shëndetin dhe sigurinë e punonjësve të tjerë. Nxirr në pah ikjet e shpeshta nga puna, qarkullimet, shkarkimet, marrjet e lejeve, daljet e parakohshme në pension, tentativat për vetëvrasje, vdekjet në shërbim. Nëse viktimizohesh për shkak të denoncimit të rrezikut, merr informacion të mëtejshëm për të drejtat e tua si punonjës dhe kodin e punës për kërkimin e një dëmshpërblimi nëpërmjet vendimit gjyqësor. Merr sa më shumë informacion që të jetë e mundur për dhunuesin psikologjik. Dhunuesit serialë janë shkelës të rregullt të drejtave të të tjerëve dhe veprimtaria e tyre mund të ketë lënë pasoja edhe në vende të tjera. Bëj ankesë. Ki parasysh se procedurat e ankesave jo vetëm që nuk janë të përshtatshme për të luftuar dhunuesin psikologjik, por në të shumtën e rasteve menaxheri është më i favorizuar se punonjësi. Duhet të kuptosh mirë karakteristikat e dhunuesit serial, aftësinë e tij për të treguar 100 fytyra dhe maninë për të gënjyer. Dhunuesi tashmë e ka bërë administratën për vete. (Kërkohet informacion i detajuar ligjor). Mëso sa më shumë për të drejtat e tua në punë. Nëse dhunuesi psikologjik bën kritika të pajustifikuara në publik ose në ndonjë vend tjetër, kërkoi avokatit tënd që t'i shkruajë një letër dhunuesit psikologjik ku t'i bëhet e qartë se ai mund të bëhet subjekt i akuzës për shpifje. Nëse punëdhënësi refuzon përfshirjen në zgjidhjen e problemit ose mbështet dhunuesin për të të hequr qafe, ti mund t'i kërkosh avokatit tënd që t'i shkruajë punëdhënësit një letër në të cilën të shpjegohet sjellja e menaxherit ndaj teje. Gjithashtu, në këtë letër duhet përcaktuar fakti që të drejtat e tua do të mbrohen fuqishëm kundër sjelljes së papranueshme të njërit prej punonjësve dhe se veprimet e tij do të monitorohen si rezultat i qëllimeve të parashtruara. Ky veprim kthen vëmendjen tek dhunuesi dhe jo tek shënjestra. Nëse punëdhënësi nuk do të merret me dhunuesin psikologjik, mbase për shkak se ai arrin të fshehë paaftësinë, gjë që është tipike për kompaninë, bëhu gati për luftë. Merre në konsideratë mundësinë për tu larguar nga puna. Shikoje si një zgjidhje pozitive përballë kushteve të papërballueshme, të cilat nuk varen nga ty. Në situata të tilla, largimi është gjëja më e mirë që mund të bësh, në këtë mënyrë ti rifiton kontrollin. Vazhdo jetën dhe gjej një punëdhënës që të vlerësojë aftësitë e tua dhe ku karriera jote mund të lulëzojë. Nuk ke pse lë që karriera dhe shëndeti yt të shkatërrohen prej një dështaku. Dhunuesit psikologjikë serialë kanë një sjellje kompulsive (të fiksuar, maniake). Ata nuk heqin dorë derisa shënjestra të shkatërrohet plotësisht. Për shumicën e njerëzve, prioriteti është stabiliteti financiar, pra të kenë para mjaftueshëm për të jetuar. Çfarë ka më shumë rëndësi për ty? Puna, shëndeti, karriera, jeta familja? Nëse detyrohesh që të largohesh nga puna, shkruaj një letër punëdhënësit në të cilën bëhet e qartë që largohesh për shkak të dhunës psikologjike. Para se të firmosësh ndonjë dokument, kërko ndihmë profesionale. Përpiqu sa të mundësh që të marrësh një referencë të shkruar me të cilën ti të biesh dakord. Pa referenca mund të jetë e vështirë gjetja e një pune tjetër, veçanërisht në profesione. Shumë punëdhënës kërkojnë edhe letra reference nga punëdhënësi i mëparshëm dhe dhunuesi psikologjik nuk i humbet asnjëherë shanset për ta sabotuar karrierën tënde. Nëse gjithçka dështon, konsidero mundësinë e gjyqit. Për këtë duhet të kërkosh informacion profesional. Kërko ndihmë reciproke, ndihmoji të tjerët që të kuptojnë, bëju anëtar i grupit të dhunës psikologjike dhe së bashku të ndërgjegjësojmë më shumë njerëz. Mund ndjekësh procedurat gjyqësore për dëmtim personal. Ki parasysh se kjo mund të zgjasë shumë. Për shumë njerëz, sidomos për ata që kanë pësuar trauma, sistemi ligjor mund të bëhet më abuziv sesa vetë dhunuesi psikologjik. Si avokati, si gjyqtari e të tjerë do ta zgjasin procesin me shpresën që do të të vijë në majë të hundës dhe do të largohesh, do të të mbarojnë paratë ose do të sëmuresh aq keq sa s’do kesh dot mundësi të vazhdosh, madje edhe të vdesësh. Bota në të cilën jetojmë nuk është aspak miqësore. Nuk është aspak çudi që situata të kthehet kundër teje. Kështu ndodh zakonisht me viktimat e përdhunimit, të cilat paraqiten si femra të "lëshuara" e rrjedhimisht ngarkohen me përgjegjësi. Nëse vendos të përballesh direkt me dhunuesin psikologjik, ki parasysh faktin që këta tipa janë shumë hakmarrës. Shpesh je duke u përballur me një psikopat social (sociopat), ose me një personalitet të çrregullt, i cili nuk ndan me ty të njëjtat vlera morale. Dhunuesit psikologjikë mendojnë se janë sipër ligjit, por nga ana tjetër insistojnë që ti të rrish medoemos brenda kufijve të tij. Gabimi më i madh që njerëzit bëjnë është mosdallimi i dhunuesit psikologjik, sociopat, persona me çrregullim personaliteti. Naiviteti është armiku më i madh. Shumica e njerëzve nuk mund ose nuk duan ta kuptojnë se personi me të cilin po ndeshen është një dhunues psikologjik, prandaj dhe presin që dhunuesi të kuptojë gabimin dhe të përmirësohet. Dhunuesit psikologjikë nuk munden dhe nuk do të përmirësohen, përkundrazi ata do të bëjnë ç'është e mundur që ta shfrytëzojnë deri në fund naivitetin e të tjerëve për të siguruar mbijetesën e tyre. Mos e nënvlerëso kurrë dinakërinë, mungesën e mëshirës, dhelpërinë dhe aftësinë e dhunuesit psikologjik për të mashtruar, sidomos nevojën për hakmarrje.
|