Blog‎ > ‎

Ditari i një gazetareje televizive (mjedisi, kanceri i gjirit)

posted Nov 1, 2011, 2:41 AM by ardi kule   [ updated Nov 1, 2011, 2:43 AM ]
Ditari i një gazetareje televizive
2011-10-31
Klodiana Kapo
Gazeta Shqip

E hënë, 24.10.2011
Ligjet, unë edhe mund t’i shkel!?

Lumi Erzen na jep një pasqyrim të qartë të fytyrës së qeverisë sonë, e cila vendos të mbrojë apo të shkatërrojë një pronë publike, edhe me vendime qeverie. Edhe pse në vitin 2006, kreu i qeverisë dhe dhjetëra funksionarë të lartë ngritën zërin dhe vendosën unanimisht listën e lumenjve që nuk duhet të preken, sot po ndodh krejtësisht e kundërta. Shfrytëzuesit nuk janë ilegalë, por janë krerët e lartë të qeverisë sonë.
Prej muajsh lumi Erzen po shfrytëzohet me një kërkesë-leje të Ministrisë së Transporteve, e cila kërkon të shfrytëzojë shtratin e lumit Erzen për të mbushur shtresën kryesore të lotit të  Unazës së Madhe. Edhe pse e pafirmosur, kjo kërkesë për leje  është funksionale, pasi Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nuk ndërmerr asnjë hap për ndalimin e firmave të inerteve. Vendimi i qeverisë për ndërtimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit, i cili kërkon një kurban të madh, siç është lumi Erzen, nuk mund të kundërshtohet. Edhe pse ligjërisht është një veprim i jashtëligjshëm. Asnjë nga institucionet shtetërore, të ngritura për të zbatuar ligjet e shtetit shqiptar dhe interesat publike, nuk reagon. Këto struktura që përbëhen nga individë nuk mund të përballen nga njerëzit e mëdhenj të vendit, fjala dhe dëshira e të cilëve është më e fortë se ligji dhe shteti. Në thelb ata po tregojnë çdo ditë se ligjet du
 het t’i përshtaten atyre, çka do të thotë që edhe zbatimi i tyre varet nëse i shkon ose jo për shtat.

E martë, 25.10.2011
Ngërç në institucionet e shtetit

Trupi i lumit Erzen po gërmohet edhe nga dhjetëra firma inerte, të cilat pasi paguajnë një faturë financiare çdo muaj, janë të lira të punojnë. Pa asnjë leje, pa asnjë kriter ato punojnë të qeta, duke shpërfillur çdokënd që ankohet se po i shembet shtëpia, po i prish tokën e bukës apo po shkatërron gjithë sistemin e ujitjes së zonës së tij. Kush janë ata që ankohen? Janë ca njerëz që s’mund t’i ndalojnë, pasi strukturat, ato të fortat, ato të shtetit, janë miqtë e tyre, që ata i shpërblejnë çdo muaj. Në ‘Top Channel’ u denoncua një nga këto firma inerte. Reagimi erdhi vetëm nga Inspektorati i Mjedisit, që tha se e ka gjobitur disa herë, por është detyrë e Inspektoratit të Ndërtimit, mbledhja e gjobave dhe sekuestrimi apo penalizmi i këtij subjekti. Mungesa e koordinimit dhe e zbatimit të ligjit tregon qartë se në Shqipëri punohet dhe veprohet me disa standarde.

E diel, 30.10.2011
Shqipëria në gjendje katastrofike, 75 % e grave me kancer gjiri

Kanceri i gjirit vret më pak nëse zbulohet më shpejt. Kjo është motoja e Shoqatës Kristiane të Grave Shqiptare (‘YWCA of Albania’), për të tretin vit radhazi, e cila ka organizuar aktivitete të ndryshme që ndihmojnë jo vetëm në informimin dhe sensibilizimin e popullsisë me kancerin e gjirit, por edhe në diagnostikimin e saj. Ditën e diel, me këtë aktivitet të shoqërisë civile të mbështetur edhe nga ambasada amerikane dhe nga partnerë privatë, u ofruan mamografi falas. Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek femrat në Shqipëri. Të dhënat zyrtare tregojnë se është një ndër 3 kancerët me të shpeshtë në të gjithë popullatën. Por ajo çka na bën t’i biem fort kambanave të alarmit është fakti se mbi 75% e kancerëve të gjirit kapen në fazën e fundit. Mjekët saktësojnë se në fazën e katërt, mundësitë për trajtimin e pacientëve janë më të vogla. Sëmundja avancon dhe efektet e medikamenteve apo të kimio
 terapisë nuk janë rezultative. Numri i vdekjeve nga kjo sëmundje po shënon një rritje të madhe. Dhe kanceri po prek moshat e reja, edhe pse pacientët nuk shkojnë për t’u vizituar dhe mjekët nuk arrijnë ta kapin sëmundjen në kohë. Në moshat e reja, kanceri i gjirit ka prirje të përhapet shpejt. Mjekët e Shëndetit Publik kërkojnë që në të gjitha qendrat shëndetësore të kryhet vetë ekzaminimi i gjirit me dorë, një formë që ndihmon në kapjen sa më të shpejtë të kësaj sëmundjeje. ‘YWCA’-ja kërkon që fushata të tilla të zhvillohen sa më shumë dhe shteti të hartojë dhe të zbatojë sa më shpejt strategjinë për kancerin e gjirit, pasi numri i të prekurve po rritet nga viti në vit.
Comments