Konceptet dhe mendimet e gabuara

Contents

  1. 1 Ajo që disa njerëz e quajnë "dhunë psikologjike" në fakt është thjesht menaxhim i ashpër.
  2. 2 Dhunuesit nuk dhunojnë. Ata thjeshtë po tregohen të rreptë.
  3. 3 Viktimë
  4. 4 Viktima është bashkëfajtor
  5. 5 Patjetër që viktimat bëjnë diçka që e tërheqin dhunën?
  6. 6 Duhen dy për të kërcyer tangon (shprehje popullore në gjuhën angleze) 
  7. 7 Viktimat janë të dobëta dhe të paafta
  8. 8 Viktimat janë të dobëta
  9. 9 Viktimat janë vetmitarë
  10. 10 Viktimat janë të ndjeshme/tepër të ndjeshme
  11. 11 Viktimat janë shumë të dobët për t’u mbrojtur
  12. 12 Pse viktimat nuk përballen me dhunën psikologjike? Ata janë të rritur, apo jo?
  13. 13 Viktimat janë të paqëndrueshëm dhe jo të shëndetshëm
  14. 14 Viktimat nuk e mbrojnë dot veten
  15. 15 Shënjestrat janë thjeshtë ca qurramanë që nuk rrinë dot me njerëzit normalë
  16. 16 Nëse dikush dhunohet me të vërtetë, atëherë pse punëdhënësit nuk kalojnë në anën e të dhunuarit?
  17. 17 Kjo është thjesht një çështje mospërputhje karakteresh
  18. 18 Kufiri midis menaxhimit të ashpër dhe dhunës psikologjike është shumë i hollë
  19. 19 Është e pamundur që të vërtetosh se po dhunohesh psikologjikisht
  20. 20 Nuk duhet që ta dhunosh dhunuesin
  21. 21 Nuk duhet që ta ekzagjerosh me përcaktimin e dhunuesit/Përcaktimet që i bëhen dhunuesit psikologjik janë të tepruara
  22. 22 Përcaktimet e tua vetëm sa e përgojojnë dhunuesin psikologjik
  23. 23 Dhunuesit kanë vlerësim të lartë për veten
  24. 24 Mendimi se vendet e punës janë plotë me dhunues psikologjikë të çmendur është një absurditet
  25. 25 Eh më se dhunuesit nuk janë të këqij. Ata janë thjeshtë të tensionuar
  26. 26 Nuk ka te ashtuquajtur "njerëz të vështirë"
  27. 27 Koncepti i dhunës psikologjike është shumë më i gjerë sesa thjeshtë një dhunues periodik
  28. 28 Femrat ushtrojnë dhunë psikologjike pasi për to është më e vështirë se burrat që të arrijnë sukses
  29. 29 Viktimat kanë gjithmonë probleme me njerëzit që ndodhen sipër tyre
  30. 30 Dhunuesi periodik nuk ekziston
  31. 31 Ata që dhunohen në shkollë kur kanë qenë të vegjël kanë më shumë shanse që të dhunohen edhe në vendin e punës
  32. 32 Viktimat janë abuzuar kur kanë qenë të vegjël, prandaj ata kanë çështje të pazgjidhura
  33. 33 Shënjestrat e dhunës psikologjike, të cilët dhunohen, ose abuzohen në fëmijëri, janë më të prirur që të vuajnë nga (ÇPT) Çrregullime Post Traumatike (pas tronditjes), çrregullim të ankthit social, depresion klinik, etj.
  34. 34 Dhunuesit dhunojnë pasi ata janë dhunuar vetë në fëmijëri
  35. 35 Dhunuesit po dhunohen
  36. 36 Edhe dhunuesit duhet të përfshihen në grupet e mbështetjes pasi edhe ata janë vetë viktima
  37. 37 Edhe dhunuesit kanë nevojë për ndihmë

Konceptet e gabuara në lidhje me dhunën psikologjike të ushtruar në ambjentet e punës.
 
Një numër i madh konceptesh të gabuara ekzistojnë në lidhje me dhunën psikologjike. Disa studime, analiza dhe kërkime akademike kohët e fundit kanë ndikuar në forcimin koncepteve të gabuara. Sidoqoftë, këto vijnë si rezultat i studimeve jo serioze, personale, të dyshimta, dhe nuk bazohen në situata reale në ambientet e punës.
 

Ajo që disa njerëz e quajnë "dhunë psikologjike" në fakt është thjesht menaxhim i ashpër.

Qëllimi i dhunës psikologjike është fshehja e paaftësisë. Menaxherët e mirë menaxhojnë, të këqijtë dhunojnë. Dhunuesit dhunojnë në mënyrë që të fshehin dobësitë dhe për të zhvendosur vëmendjen larg paaftësisë së tyre. Shumë nga punëdhënësit nuk duan që të llogarisin koston e lartë të moralit të ulët, produktivitetit të dobët, shërbimit të dobët ndaj klientit, mungesat, qarkullimit të stafit dhe ankesat e shpeshta që i ashtuquajturi "menaxhim i ashpër" sjell me vete.

Dhunuesit nuk dhunojnë. Ata thjeshtë po tregohen të rreptë.

Njerëzit që dhunojnë e kanë të pamundur të bëjnë dallimin midis rreptësisë dhe agresivitetit. Kur vihen para përgjegjësisë ata justifikohen duke thënë se po tregohen të rreptë. Rreptësia vjen si rezultat i ndershmërisë, njeh dhe respekton kufijtë dhe vlerat personale. Çdo kërkesë bëhet me edukatë dhe pa kushte. Nuk ka pasoja negative nëse personi, të cilit i kërkohet diçka thotë jo. Nga ana tjetër, dhunuesit, të cilët nuk kanë ndershmëri, janë agresivë, japin urdhra. Ata i shkelin kufijtë personalë rregullisht. Agresiviteti nuk i respekton të drejtat e njeriut, ndërsa kërkesat kanë pasoja negative nëse nuk plotësohen.

Viktimë

Unë preferoj fjalën "shënjestër". Fjala "viktimë" u lejon njerëzve të pasinqertë që t’ua mbushin mendjen të tjerëve dhe nëpërmjet koncepteve të gabuara dhe paragjykimeve të dalin në konkluzionin se personi i dhunuar në një farë mënyre ishte bashkëfajtor. Fjala "shënjestër" përcakton qartë faktin që dhunuesi bëhet dhunues me dëshirën e tij dhe jo që i dhunuari u bë pa dashje viktima e një dhunuesi me probleme mendore. Për të kuptuar si dhe pse dhunuesit i zgjedhin shënjestrat e tyre shtypni këtu.

Viktima është bashkëfajtor

Kur nxirren para përgjegjësisë, abuzuesit, ngacmuesit, dhunuesit psikologjikë dhe të gjithë njerëzit e dhunshëm mohojnë përgjegjësinë e tyre duke ia hedhur fajin viktimës së tyre. Koncepti "vërja fajin viktimës" është pjesë e të njëjtës mendësi, e cila thotë se fermat që përdhunohen e kërkonin vetë një gjë të tillë, pasi ato jepnin sinjalet e gabuara; se gratë që dhunohen në shtëpi e meritojnë dhe se bien dakord me këtë gjë; se fëmijët, me të cilët abuzohet seksualisht janë bashkëfajtorë të dhunës që ushtrohet kundër tyre. Abuzuesit, ngacmuesit, dhunuesit psikologjikë dhe njerëzit e dhunshëm duket se mbështeten gjerësisht nga një ushtri përkrahësish, apologjistësh (që i falin), justifikuesish, ndihmësish, mbrojtësish dhe mohuesish. Ata gëzojnë gjithfarëlloj mbështetjesh që lehtësojnë krimet e tyre.

Patjetër që viktimat bëjnë diçka që e tërheqin dhunën?

Fëmijët nuk u kërkojnë pedofilëve që t’i dhunojnë, femrat nuk u kërkojnë meshkujve që t’i përdhunojnë, zezakët nuk u kërkojnë të bardhëve që këta t’i ngacmojnë dhe t’i diskriminojnë, homoseksualët nuk kërkojnë ngacmimi dhe diskriminim për shkak të orientimit të tyre seksual dhe së fundmi asnjë person nuk e kërkon dhunën psikologjike vetëm sepse ai/ajo ndodhet aty. Gjashtë nga arsyet më të zakonshme pse dhunuesit i zgjedhin një shënjestër janë: personi ndodhet aty (vendi i gabuar, momenti i gabuar), aftësia (zili), popullaritet (xhelozi), cënueshmëri (nevoja për para), pjekuri emocionale, vlera dhe ndershmëri. Shënjestrat përfaqësojnë gjithçka që dhunuesit nuk janë.

Duhen dy për të kërcyer tangon (shprehje popullore në gjuhën angleze) 

Abuzuesit zgjedhin që të abuzojnë, ngacmuesit zgjedhin që të ngacmojnë, përdhunuesit zgjedhin që të përdhunojnë, dhunuesit psikologjikë zgjedhin që të dhunojnë. Dhuna psikologjike është një lloj sjelljeje dhe sjellja është një zgjedhje, zgjedhje e keqe por zgjedhje. Shenja dalluese e dhunuesit psikologjik është mos marrja e përgjegjësive e zgjedhjeve të tyre. Ka vetëm dy rrugë: e para është që një njeri është i ndërgjegjshëm për veprimet e veta, e rrjedhimisht edhe për pasojat që vijnë bashkë me to. E dyta është që një njeri nuk është i ndërgjegjshëm për veprimet e veta, e si për rrjedhojë, as për pasojat që vijnë nga pas. Ky i dyti ka nevojë për ndihmë psikike. Dhuna psikologjike ndodhet në të njëjtin rang me abuzimin, ngacmimin (të rënit në qafë), përdhunimin dhe pedofilinë. Fatkeqësisht ka disa njerëz që mendojnë se shënjestrat mbajnë vetë përgjegjësi për abuzimin që ushtrohet ndaj tyre.

Viktimat janë të dobëta dhe të paafta

Është dhunuesi i dobët dhe i paaftë. Dhunuesit i cilësojnë gjithmonë të tjerët si "të dobët" dhe "të paqëndrueshëm" në mënyrë që vetë të duken si "normalë". Njerëzit normalë nuk kanë pse të dhunojnë psikologjikisht. Vetëm të dobëtit dhunojnë për të fshehur dobësitë e tyre dhe paaftësinë. Prandaj, cilido person që shfaq sjellje dhunuese, në fakt po pohon se është i dobët dhe i paaftë.

Viktimat janë të dobëta

Shënjestrat e dhunës psikologjike nuk janë të dhënë pas pushtetit. Ata shkojnë në punë për të punuar dhe nuk interesohen shumë pas politikave të "zyrës" ose pas konflikteve. Shënjestrat kanë moral të lartë, ndershmëri të lartë, cenueshmëri ( p.sh. duhet të paguajnë kredi ), dëshirë për drejtësi dhe arsyetim. Ata nuk janë të dhunshëm, mungesë vullneti për t’u ankuar, ose protestuar, tendencë për të falur dhe mirëkuptim për t’i zgjidhur konfliktet nëpërmjet dialogut. Shënjestrat mund ta durojnë dhunën psikologjike për muaj të tërë, madje dhe vite. Mirëpo, kur dhunuesi fillon të marrë reagimin e merituar, ai menjëherë shkon të qurravitet tek një shef më lart duke kërkuar mbrojtje. Kjo është dobësi.

Viktimat janë vetmitarë

E saktë. Dhunuesit i izolojnë shënjestrat e tyre në mënyrë që t’i shfuqizojnë. Kjo është taktikë e të gjithë abuzuesve.

Viktimat janë të ndjeshme/tepër të ndjeshme

Ndjeshmëria përbëhet nga një sërë vlerash që duhen mbajtur gjallë dhe duhen edukuar, përfshi prekshmërinë, respektin, tolerancën, denjësinë, nderin, konsideratën dhe mirësjelljen. Kushdo që nuk është i ndjeshëm, d.m.th që është i pandjeshëm. Shënjestrat zakonisht kanë një aftësi të veçantë për të dalluar malinjitetin. Kjo aftësi e tyre cilësohet nga ata që nuk e kanë si "ndjeshmëri e tepruar". Dhunuesit janë të pashpirt dhe indiferentë ndaj nevojave të të tjerëve. Kur atyre u kërkohet që të marrin parasysh nevojat e dikujt tjetër, ata reagojnë me padurim, acarim dhe agresivitet.

Viktimat janë shumë të dobët për t’u mbrojtur

Shënjestrat e dhunës psikologjike janë punonjës me rendimet të lartë, të cilët shkojnë në punë për të punuar. Ata nuk shkojnë në punë me mendimin për t’u angazhuar në konflikte. Dhunuesit zgjedhin ata individë, të cilët preferojnë t’i zgjidhin konfliktet nëpërmjet dialogut, të cilëve nuk u pëlqen dhuna dhe të cilët do të përpiqen që të shmangin konfliktin. E thënë me fjalë të tjera, dikë që do të përpiqet të përdorë fjalët dhe jo dhunën, ose ankesat. Kur dhunuesi del para përgjegjësisë, këto cilësi quhen nga njerëzit e dobët si "dobësi".

Pse viktimat nuk përballen me dhunën psikologjike? Ata janë të rritur, apo jo?

Kam kaluar në shqyrtim mbi 10.000 raste të dhunës psikologjike në ambientet e punës dhe vazhdimisht çuditem me shkathtësinë, përtëritjen, fleksibilitetin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë që tregojnë shënjestrat e abuzimit. Në secilin rast kthesa vjen kur shënjestra më në fund e kupton që nuk ka të bëjë me një njeri normal si vetja e tyre, por me një person të mbrapshtë, me çrregullime mendore, i cili përfiton nga një sistem që favorizon ata keqbërës, të cilët shkëlqejnë në mashtrimet që u bëjnë stafit drejtues.

Viktimat janë të paqëndrueshëm dhe jo të shëndetshëm

Dhunuesit janë të paqëndrueshëm dhe jo të shëndetshëm. Njerëzit që mendojnë se shënjestrat janë të paqëndrueshëm, në fakt po vënë re efektet tronditëse që dëmtimi psikik edhe pse këta njerëz nuk e kanë kuptuar dëmtimin psikik, apo rrethanat në të cilat ky dëmtim u shkaktua. Disa studiues kanë vëzhguar tronditjen, hiper-vigjilencën, etj, dhe kanë dalë në konkluzionin e gabuar se këto tipar të karakterit kanë ekzistuar para se të ushtrohej dhunë psikologjike. Supozime të tilla janë shkencë e pavlerë, e parespektueshme, e pandjeshme dhe ofenduese. Është njësoj sikur të shohësh një njeri që ka thyer këmbën dhe të dalësh në përfundimin se ka lindur me kocka të dobta.

Viktimat nuk e mbrojnë dot veten

Stresi i zgjatur negativ shkakton trauma, të cilat frenojnë artikulimin (aftësinë për t’u shprehur). Njerëzit që u a hedhin fajin shënjestrës së dhunës psikologjike sepse nuk arrijn të shprehen në mënyrë të qartë po tregojnë mungesën e ndjeshmërisë dhe padijen e tyre në lidhje me traumat dhe efektet që pasojnë. Shumë dhunues janë periodikë (kanë vazhdimësi) me personalitet të çrregulluar, të cilët shkëlqejnë në manipulime, mashtrim, gënjeshtra dhe sjellje antisociale. Është pothuajse e pamundur që të mbrohesh kundër një psikopati të vendosur. Këta janë të paktën 1%e popullsisë.

Shënjestrat janë thjeshtë ca qurramanë që nuk rrinë dot me njerëzit normalë

Njerëzit vihen nën shënjestër sepse ata janë të aftë dhe gëzojnë popullaritet. Dhunuesit janë xheloz për këto marrëdhënie të qëndrueshme që shënjestrat kanë me të tjerët. Xhelozia dhe zilia janë burimet, nga të cilat rrjedh mërzia e brendshme, urrejtja dhe fodullëku që dhunuesi i ka me shumicë.

Nëse dikush dhunohet me të vërtetë, atëherë pse punëdhënësit nuk kalojnë në anën e të dhunuarit?

Punëdhënësit e heqin qafe shënjestrat sepse ata kanë dështuar në detyrën e tyre, d.m.th mbrojtjen e punonjësit në ambientet e punës.

Kjo është thjesht një çështje mospërputhje karakteresh

Mospërputhja e karaktereve ndodh kur dy persona me pozitë, status, vlera ose pushtet të njëjtë nuk e shohim njeri-tjetrin në sy. Dhuna psikologjike qëndron në përsëritjen e kritikave, fajësimeve për vogëlsira, izolimit, përjashtimit, nënvlerësimit, telendisjen, inkurajimit për të dështuar, etj një shënjestre, të cilin dhunuesi e ka shfuqizuar dhe i ç’privilegjuar. Shpesh herë punonjësit e burimeve njerëzore dhe të tjerë i cilësojnë këto situata si mospërputhje karakteresh. Kjo i vlen dhunuesit, i cili përpiqet që fajin t’ia hedhë gjithmonë shënjestrës.

Kufiri midis menaxhimit të ashpër dhe dhunës psikologjike është shumë i hollë

Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë dikë që të thotë se kufiri mes dhunës seksuale dhe marrëdhënies korrekte është shumë i hollë, ose që kufiri mes dhunës shtëpiake dhe martesës është shumë i hollë, apo që kufiri mes përdhunimit dhe seksit të mrekullueshëm është i hollë, ose që kufiri mes edukimit seksual dhe pedofilisë është shumë i hollë. Dhuna psikologjike (nga një dhunues periodik) dhe menaxhimi kanë të përbashkët aq sa kanë të përbashkët Hitleri me Nënë Terezën. Qëllimet e dhunuesit periodik janë pushteti, kontrolli, dominimi, nënshtrimi, të arritura këto nëpërmjet manipulimit, mashtrimit dhe abuzimit me pushtetin. Termi "menaxhim" është një justifikim që i leverdis sjelljes së çrregullt, të sëmurë të një dhunuesi periodik.

Është e pamundur që të vërtetosh se po dhunohesh psikologjikisht

I njëjti argument i paraqit para se të hynin në fuqi ligjet për ngacmim seksual dhe diskriminim racial. Zgjidhja është edukim. Nuk mund të vërtetosh vetëm atë që nuk kupton.

Nuk duhet që ta dhunosh dhunuesin

Shënjestrat i bëjnë ballë një goditjeje verbale, emocionale dhe fiziologjike për muaj të tërë, madje dhe vite. E kundërta ndodh me dhunuesin. Sapo atyre ua kthen me të njëjtën monedhë, ata menjëherë shkojnë dhe ankohen tek superiorët. Kur duhet që të japin llogari për sjelljen e tyre, ata përdorin një sërë strategjish për t’i bërë bisht përgjegjësive. Mohimi, kundërsulmi dhe heqja si viktimë janë mënyrat më të shpeshta. Një nga taktikat thotë se nuk duhet ta dhunosh dhunuesin. Kjo është një orvatje e shëmtuar për të ngatërruar dhunën psikologjike (një vazhdimësi kritikash, fajësimesh, etj, ditore për gjëra të parëndësishme) me përgjegjësinë (ta bësh dhunuesin që të mbajë përgjegjësi për sjelljen e tij dhe efektin që ka tek të tjerët). Superiorët që kanë përgjegjësi për menaxhimin e njerëzve mashtrohen lehtë nga ky koncept.

Nuk duhet që ta ekzagjerosh me përcaktimin e dhunuesit/Përcaktimet që i bëhen dhunuesit psikologjik janë të tepruara

Këto përcaktime janë rezultat i vëzhgimeve afatgjata të sjelljes së dhunuesit psikologjik. Kjo faqe është thjesht lajmëtari. Duke qenë se dhunuesit kanë zgjedhje të lirë për sjelljen e tyre (nëse jo, atëherë ata kanë përgjegjësi të kufizuar dhe duhet patjetër të vizitohen nga një psikiatër), atëherë dhunuesit periodikë janë vetë përgjegjës për vlerësimin që iu bëhet.

Përcaktimet e tua vetëm sa e përgojojnë dhunuesin psikologjik

Unë vëzhgoj sjelljen e dhunuesit dhe vë në djeni sjelljen e tij. Unë jam thjesht një lajmëtar. Dhuna psikologjike është një sjellje, sjellja është zgjedhje, rrjedhimisht dhuna psikologjike është një zgjedhje. Një përdhunues e meriton që të quhet përdhunues për shkak se zgjedh që të përdhunojë. Një pedofil meriton që quhet pedofil për shkak se zgjedh që të kryejë akte pedofilie. Një dhunues psikologjik meriton të quhet dhunues për shkak se zgjedh që të dhunojë të tjerët psikologjikisht. Njerëzit normal nuk zgjedhin që të dhunojnë. Ajo që një dhunues duhet të bëjë, në mënyrë që të mos e meritojë nofkën dhunues është që të mos dhunojë më të tjerët. Është shumë e thjeshtë.

Dhunuesit kanë vlerësim të lartë për veten

Dhunuesit shfaqin arrogancë, narcizizëm, besueshmëri, siguri, siguri në vetvete, paprekshmëri, pacenueshmëri dhe besim të plotë në drejtësinë e tyre. Dhunuesit gjithashtu shkëlqejnë në mashtrime dhe në aftësi për të mos marrë përgjegjësi. Disa njerëz i ngatërrojnë këto cilësi me vetëbesimin, por në fakt nuk është kështu. Njerëzit që kanë vetëbesim e tregojnë këtë duke nëpërmjet marrëdhënieve pozitive me njerëzit e tjerë. Dhunuesit kanë vetëm marrëdhënie negative me të tjerët. Marrëdhëniet negative janë shenja dalluese e mungesës së vetëbesimit. Dhunuesit motivohen vetëm nga xhelozia, zilia dhe paragjykimi, të cilët janë tregues të mungesës së vetëbesimit. Dhuna psikologjike është antiteza e vetëbesimit. Njerëzit me vetëbesim nuk kanë nevojë që të ushtrojnë dhunë psikologjike.

Mendimi se vendet e punës janë plotë me dhunues psikologjikë të çmendur është një absurditet

E para, numri i dhunuesve psikologjikë në vendin e punës është mjaft i vogël (zakonisht vetëm një), mirëpo ndikimi i tyre është tmerrësisht shumë i madh, ashtu si kanceri, sjellja e tyre negative mund të infektojë të gjithë vendin e punës. Dhunuesit janë shumë të zotë në mashtrime dhe manipulime. Ata janë shumë të zotë që ta mposhtin mbrojtjen e të tjerëve.

E dyta, dhunuesit psikologjikë nuk janë të çmendur. Një i çmendur nuk është në gjendje që të bëjë dallimin mes të vërtetës dhe fantazisë, ai është mendërisht i sëmurë. Dhunuesit e dinë mirë se çfarë është e keqe dhe çfarë është e mirë, mirëpo ata me ndërgjegje zgjedhin që të mos respektojnë standardet sjelljes normale sociale. Kur vihen para përgjegjësisë, dhunuesit e përdorin mashtrimin me ndërgjegje të plotë për t’iu shmangur përgjegjësisë për veprimet e tyre dhe pasojat që ka sjellja e tyre tek të tjerët. Dhunuesit janë të shëndetshëm në çdo kuptim mjekoligjor të fjalës.

Eh më se dhunuesit nuk janë të këqij. Ata janë thjeshtë të tensionuar

Edhe abuzuesit, partnerët e dhunshëm, ngacmuesit, përdhunuesit, dhe pedofilët nuk janë njerëz të këqij. Ata janë thjeshtë të tensionuar. Mungesa e njohurisë, mungesa e dëshirës për ta pranuar dhe mohimi ashiqar i ekzistencës së një dhunuesi periodik janë arsyet kryesore që sjellin telashe për punonjësit dhe punëdhënësit. Kur një dhunues është i pranishëm, shumica bëhet pjesë e dhunës psikologjike, ose me dashje, ose pa dashje. Disa nga këta njerëzit dytësor mbase dhe mund të jenë njerëz të mirë nën tension, por nuk janë ata burimi i dhunës psikologjike. Burimi duhet kërkuar gjetiu.

Nuk ka te ashtuquajtur "njerëz të vështirë"

Në 90 % të rasteve, dhunuesi periodik ka probleme me personalitetin dhe të një të shkuar plot me konflikte (përfshi manipulimin, gënjeshtrat, mashtrimin, etj) me të gjithë. Në të gjitha rastet, padija, mungesa e dëshirës për ta pranuar, ose mohimi i ekzistencës së një dhunuesi periodik është arsyeja kryesore e telasheve që pasojnë si për punonjësin, ashtu edhe për punëdhënësin.

Koncepti i dhunës psikologjike është shumë më i gjerë sesa thjeshtë një dhunues periodik

Dhunuesi periodik është i pranishëm në 90 % të rasteve nga të 10.000 e kusur rastet që janë denoncuar vetëm në Zyrën Kombëtare Këshilluese mbi Dhunën psikologjike në Ambientet e Punës në Britaninë e Madhe (National Workplace Bullying Advice Line). Mohimi i ekzistencës së dhunuesit periodik sjell gjithmonë telashe. Dhunuesit periodikë janë mjeshtra në mashtrim dhe çuditërisht shumica e njerëzve mashtrohen lehtë pasi ata nuk janë emocionalisht të pjekur, nuk kanë përvojën e duhur dhe aftësi për të parë përtej mashtrimit dhe maskës. Nëse një dhunues periodik nuk është i pranishëm, atëherë problemi nuk është dhunë psikologjike. Disa njerëz mund ta teprojnë duke thënë se çdo lloj sjelljeje është dhunë psikologjike. Në këto raste mund përkufizimi mund të jetë "menaxhim për ndryshim", menaxhim për shfrytëzimin e kohës", "menaxhim për rritjen e rendimentit", ose "menaxhim organizativ", etj. Në këto raste shfaqen sjellje të dhunës psikologjike, por këto nuk janë çka nënkuptohet me termin "dhunë psikologjike në vendin e punës".

Femrat ushtrojnë dhunë psikologjike pasi për to është më e vështirë se burrat që të arrijnë sukses

Një femër dhunuese periodike, ashtu si edhe të gjithë dhunuesit periodikë, dhunon sepse zgjedh që ta bëjë një gjë të tillë. Dhuna psikologjike është një sjellje dhe sjellja është zgjedhje. Edhe pse femrat në nivel menaxherial mund të përballen me më shumë vështirësi, kjo nuk do të thotë se ato duhet të dhunojnë psikologjikisht. Në fakt, femrat më të suksesshme nuk dhunojnë askënd. Ato janë të suksesshme sepse janë të ndershme, janë të afta që të planifikojnë, organizojnë dhe të arrijnë suksese. Dhunuesit nuk arrijnë asgjë. Mendimi se femra duhet të dhunojë psikologjikisht për të pasur sukses është një fyerje e rëndë për të gjitha femrat, të cilat kanë sukses në sajë të punës së palodhur, këmbënguljes dhe zotësisë.

Viktimat kanë gjithmonë probleme me njerëzit që ndodhen sipër tyre

Kjo është një nga taktikat që dhunuesit dhe punëdhënësit abuzues përdorin. Ata pretendojnë se shënjestra, e cila po vë në dukje paaftësinë, moskokëçarjen, etj ka "probleme me autoritetin". Edhe disa profesionistë të shëndetit mendor jo dhe aq të zotë e pretendojnë diçka të tillë. E vërteta qëndron në faktin se shënjestrat kanë një aftësi të çuditshme për të dalluar mashtruesit, hileqarët, të dobëtit dhe të paaftët, të cilët abuzojnë me pushtetin. E keqja është se edhe të paaftët e sipërpërmendur kanë aftësi të çuditshme për t’i dalluar ata që mund t’i zbulojnë. Shënjestrat e dhunës psikologjike kanë si parim përgjegjshmërinë, prandaj ata duhet me doemos të mbahen nën kontroll mizor, e nëse kjo gjë nuk funksionon, atëherë ata duhen eliminuar me çdo kusht. T’i përkufizosh zbuluesit dhe shënjestrat e dhunës psikologjike si të sëmurë mendorë është një taktikë, e cila përdoret shpesh nga punëdhënësit abuzivë, në mënyrë që t’i shmangen përgjegjësisë.

Dhunuesi periodik nuk ekziston

Mohimi i ekzistencës së dhunuesit periodik sjell gjithmonë telashe për punëdhënësin dhe punonjësit. Bota është plot me mohues. Janë ata që mohojnë se toka është e rrumbullakët, ata që mohojnë Holokaustin dhe ata që mohojnë ekzistencën e dhunuesit psikologjik periodik. Mohimi i ekzistencës së dhunuesit periodik gjithashtu shërben për të turpëruar kundërshtarët e dhunuesit periodik. Dhunuesit periodik zhvlerësojnë këdo person që përpiqet t’i ndihmojë të tjerët që të shohin përtej maskës së rreme. Si për çudi, ata të cilët me zjarr mohojnë ekzistencën e dhunuesit periodik kanë vetë sjellje të ngjashme.

Ata që dhunohen në shkollë kur kanë qenë të vegjël kanë më shumë shanse që të dhunohen edhe në vendin e punës

Arsyeja pse njerëzit dhunohen në shkollë, e pastaj në punë është sepse ata ruajnë të njëjtat cilësi të karakterit gjatë gjithë jetës së tyre, gjë që dhunuesit e përçmojnë dhe e luftojnë me agresivitet.

Viktimat janë abuzuar kur kanë qenë të vegjël, prandaj ata kanë çështje të pazgjidhura

Nga përvoja me 10.000 e kusur raste, numri i shënjestrave, të cilët janë abuzuar në fëmijëri mund të thuash pa asnjë dyshim se është i ngjashëm me atë që mund të gjesh në çdo grup të zgjedhur rastësisht të popullsisë. Njerëzit nuk dhunohen për shkak të çështjeve të pazgjidhura. Ata dhunohen sepse ndodhen në vendin e gabuar, në çastin e gabuar. Ata kanë shumë cilësi vetjake, të cilat dhunuesit duan t’i shfrytëzojnë. Një person agresiv, i mbrapshtë dhe mendërisht i paqëndrueshëm zgjedh që të ushtrojë dhunë psikologjike dhe emocionale të vazhdueshme kundrejt tyre. Gjithashtu po aq i pavlerë është edhe mendimi tjetër se dhunuesit dhunojnë sepse "janë dhunuar në fëmijëri".

Shënjestrat e dhunës psikologjike, të cilët dhunohen, ose abuzohen në fëmijëri, janë më të prirur që të vuajnë nga (ÇPT) Çrregullime Post Traumatike (pas tronditjes), çrregullim të ankthit social, depresion klinik, etj.

Kjo mund të jetë e vërtetë në disa raste, por jo në të gjitha. Një përqindje e vogël tregon predispozitë për ri-truamatizim (për të pësuar sërish tronditje) për shkak të traumave të pazgjidhura në fëmijëri. Megjithatë, kjo ndodh ngaqë qendrat për diagnostikimin nuk janë të shumta dhe mundësitë për t’u trajtuar janë të pakta. ÇPT është një dëmtim psikiatrik. Predispozita për dëmtim psikiatrik është e njëjtë me predispozitën për dëmtim fizik. Nëse thyen këmbën, kjo ndodh sepse forca e ushtruar është më e madhe se fortësia e kockës, jo sepse para 30 vjetësh re nga muri i shtëpisë dhe nxore kavilien.

Nëse ti vuan një dëmtim psikiatrik kur je i rritur, kjo ndodh sepse ashpërsia dhe zgjatja e abuzimit është më i gjatë nga sa mund të durojë truri i njeriut dhe jo sepse je dhunuar psikologjikisht në shkollë, apo je abuzuar në fëmijëri.

Disa të dhëna shumë interesante kanë dalë nga studimi i ÇPT-së. I vetmi grup i popullsisë, e cila nuk vuan asnjëherë nga ÇPT janë psikopatët.

Dy problemet me dhunën psikologjike janë:

dhunuesit rrallë vihen para përgjegjësisë, madje ata përkrahen duke u mbrojtur, mbështetur, ose duke u rritur në detyrë.

Ne nuk i mësojmë njerëzit që t’i bëjnë ballë agresorëve të mbrapshtë me çrregullime mendore, qëllimi i vetëm i të cilëve është dhuna (fizike, psikologjike, emocionale, etj). Mendoj se mësime për mbrojtjen fizike, psikologjike emocionale dhe verbale duhet të jenë pjesë e arsimit kombëtar.

Dhunuesit dhunojnë pasi ata janë dhunuar vetë në fëmijëri

Kjo nuk është e vërtetë edhe pse dhunuesit e përdorin këtë si argument për të justifikuar krimin e tyre dhe për të hequr vëmendjen vënia para përgjegjësisë. Shumë të rritur dhe profesionistë mashtrohen nga ky justifikim hileqar. Një përqindje e lartë e popullsisë abuzohen në fëmijëri (ndoshta 1 në 4 vajza dhe 1 në 6 djem). Megjithatë, vetëm një numër i vogël zgjedhin që të bëhen dhunues psikologjikë kur rriten. Dhuna është zgjedhja e dhunuesit. Një zgjedhje e keqe, por zgjedhje. Gjithashtu, nuk qëndron as mendimi tjetër se "njerëzit bëhen viktima të dhunës psikologjike sepse janë abuzuar në fëmijëri".

Dhunuesit po dhunohen

Disa dhunues dytësorë mund të dhunohen vetë për shkak të trysnisë së madhe që ushtrohe mbi ta megjithatë, dhuna kryesore psikologjike medoemos që buron nga diku. Në shumicën e rasteve ajo fillon me praninë e një dhunuesi periodik. Sjellja e dhunshme e këtij individi përhapet edhe tek të tjerët njësoj si kanceri.

Edhe dhunuesit duhet të përfshihen në grupet e mbështetjes pasi edhe ata janë vetë viktima

Dhunuesit e përkufizuar në këtë faqe nuk janë viktima pasi ata janë të rritur dhe të lirë për të zgjedhur sjelljen e tyre. Sektorët e përkujdesjes (infermierë, punonjës socialë, etj) dhe të vullnetarizmit janë plot me dhunues, të cilët gjejnë aty një burim të pashtershëm me njerëz në nevojë dhe punonjës të pambrojtur. Shumë njerëz me profesione në sektorin e përkujdesjes kanë butësi (pasi kanë vuajtur vetë), e cila i pajis ata me ndjeshmërinë e nevojshme për përkujdesjen profesionale të klientëve. Gjithashtu, kjo butësi tregon se këta njerëz janë lehtësisht të kontrollueshëm, të manipulueshëm dhe të dëmtueshëm, gjëra që dhunuesit periodik i shkojnë shumë për shtat. Nëse dhunuesi periodik futet në një nga këto grupe, grupi do të ndahet, do të sektarizohet (grupe rivale), do të çahet dhe do të shpërndahet në jo më shumë se tre muaj.

Edhe dhunuesit kanë nevojë për ndihmë

Përkufizimi i një të rrituri është "një person, i cili është i aftë dhe pranon të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij dhe pasojat e sjelljes së tij tek njerëzit e tjerë. Çdo i rritur që nuk pranon këto përgjegjësi, tregon papërgjegjshmëri duhet patjetër t’i nënshtrohet kujdesit të një psikiatri. Dhuna psikologjike është sjellje, sjellja është zgjedhje, rrjedhimisht dhuna psikologjike është zgjedhje. Shumë dhunues psikologjikë janë menaxherë, ose kanë pushtet. Këta nuk kanë nevojë për ndihmë, përveçse në rastet kur përpiqen që të mashtrojnë të tjerët që t’i shmangen përgjegjësive dhe detyrimeve. Dhunuesit përdorin naivitetin, mungesën e përvojës dhe keqardhjen e njerëzve dhe do të shfrytëzojnë deri në fund dëshirën e njerëzve të mirë për të ndihmë dhe falje. Këta njerëz mbushin radhët e mbështetësve, apologjistëve (që falin), lehtësuesve, ndihmësave, mbrojtësave dhe mohuesve, të ekzistencës së dhunuesit psikologjik.

Comments