Taktika per te terhequr vemendjen

Nevoja për të tërhequr vëmendjen shfaqet më shumë tek femrat, prandaj këtu do të përdoret më shumë përemri ajo. Edhe meshkujt shfaqin sjellje që kërkojnë të tërheqin vëmendjen.

Ata që kërkojnë të tërheqin vëmendje shpesh shfrytëzojnë vuajtjet e dikujt tjetër. Po mund të shfrytëzojnë edhe vuajtjen personale. Në raste ekstreme, si ajo e Sindromës Munchausen me Përfaqësim, personi që kërkon të tërheqë vëmendjen i shkakton të tjerëve vuajtje me qëllim.

E vuajtura

kjo përfshin shtirjen si i sëmurë ose ekzagjerimin e saj, shtiret sikur është plagosur, madje edhe shkakton plagosje të qëllimshme. Në raste ekstreme personi mund edhe të humbasë një gjymtyrë. Sëmundja ose dëmtimi bëhet vegël për të tërhequr vëmendje. Personi që shtiret është mjeshtër për manipulimin e njerëzve nëpërmjet ndjenjave, sidomos nëpërmjet fajit. Është shumë e vështirë të mos ndjesh keqardhje për një person që sajon një përrallë të besueshme vuajtjeje apo tregime all "e shkreta unë".

Shpëtimtarja 1

Në rastin e Sindromës Munchausen me Përfaqësi, personi, zakonisht, krijon mundësi për të qenë në qendër të vëmendjes duke i shkaktuar me qëllim dëm të tjerëve, e pastaj duke u hequr si shpëtimtar, duke u shpëtuar jetën dhe duke u hequr si person i dashur e i dhembshur. Pak njerëz e kuptojnë që dëmi ishte shkaktuar me qëllim. P.sh. një infermiere me këtë sindromë mund të vrasë disa bebe me radhë para se dyshimet të fillojnë. Kur nuk merr rolin e shpëtimtarit, "shpëtimtari" mund të shfaqë mërzi, madje edhe përbuzje ndaj personit që po shpëton.

Shpëtimtarja 2

sidomos e zakonshme në situata familjare. Ajo hidhet gjithmonë në sulm për t’i shpëtuar të tjerët kurdo që momenti është i volitshëm, për të. Ajo merr kënaqësi duke shijuar madhështinë e veprimeve humanitare. Ajo "gjuan" këdo që mund të ketë një fatkeqësi, dobësi, sëmundje, dëmtim, ose kushdo që ka cënueshmëri. Veprimi i shpëtimit e rrjedhimisht mundësitë për të fituar vëmendje zmadhohen nëse të tjerët përjashtohen nga ky veprim. Kjo ndihmon në krijimin e një varësie midis shpëtimtarit dhe të shpëtuarit, e cila pastaj mund të shfrytëzohet më vonë për veprime të tjera shpëtimi (dhe vëmendje). Kur nuk merr rolin e shpëtimtarit, "shpëtimtari" mund të shfaqë mërzi, madje edhe përbuzje ndaj personit që po shpëton.

Organizatorja

ajo mund të paraqitet si personi i përgjegjshëm, ajo që organizon gjithçka, ajo që është e besueshme dhe e sigurt, ajo tek e cila të gjithë mund të drejtohen. Mirëpo, qëllimi nuk është ndihma (ajo është vetëm një mjet për të arritur një rezultat). Qëllimi është që të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes.

Manipuluesja

ajo shfrytëzon marrëdhëniet familjare. I manipulon të tjerët nëpërmjet fajësisë dhe shtrembërimit të perceptimeve, megjithëse ajo mund të mos i dëmtojë njerëzit fizikisht, ajo i shkakton të gjithëve dëmtim emocional. Pjesëtarët më të cënueshëm të familjes janë shënjestrat e preferuara. Një marifet tipik që kërkon të tërheqë vëmendje është pretendimi se po persekutohet (keqtrajtohet), viktimizohet, përjashtohet, izolohet ose injorohet nga një pjesëtar tjetër i familjes, duke insistuar se po bëhet objekti i një fushate përjashtimi dhe ngacmimi.

Helmuesja e mendjes

shumë e shkathët për t’i helmuar mendjet e të tjerëve me mashtrime kundër shënjestrës së radhës.

Tragjikja

Çdo incident apo shans, s’ka rëndësi sa domethënës, shfrytëzohet, ekzagjerohet dhe nëse është e nevojshme shtrembërohet për t’u kthyer në një eveniment me përmasa dramatike. Çdo gjë kthehet në krizë. Histrionika (një lloj sindrome) mund të jetë e pranishme kur personi ndje se nuk është në qendër të vëmendjes, por duhet të jetë. Një sjellje e papërshtatshme flirtuese mund të shfaqet.

Bleta punëtore

ky individ është personi më i zënë me punë në botë, nëse bazohesh tek historitë që tregon. Çdo ditë, ngjarje që cilësohen si normale nga njerëz normal, në gojën e këtij individi marrin përmasa epike. Të gjithë ftohen që të admirojnë dhe të mëshirojnë këtë person kaq të zënë me punë, që nuk ka as edhe një minutë për vete e vet, nuk ka asnjëherë kohë për t’u ulur, etj. Megjithatë, ajo asnjëherë nuk është e zënë kur duhet të të thotë ty se sa e zënë me punë është.

Shtirësia

kur duhet që të japë llogari, menjëherë përdor taktikën e "mohim-kundërsulmit-shtiret si viktimë" për të manipuluar të pranishmit, veçanërisht spektatorët dhe shefat. Mënyra më e efektshme për t’u hequr si viktimë është shpërthimi në lot. Instinkti u thotë shumë njerëzve që të ndjejnë keqardhje për ta, t’i vënë dorën në qafë dhe t’i ofrojnë një shami për të fshirë lotët. Nuk ka gjë më të besueshme sesa lotët e vërtetë dhe aktoret e dinë shumë mirë që këto mund të aktivizohen sipas dëshirës. Ato që shtiren janë ekspertë në përdorimin e lotëve të krokodilit. Pas shumë vitesh praktikë, këta kërkues vëmendjeje shpesh japin shfaqje për Oskar në kë të drejtim. Të hiqesh si viktimë është një taktikë e dhunuesve psikologjikë dhe e ngacmuesve për t’i bërë bisht përgjegjësisë dhe dënimit. Kur akuzohet për dhunë psikologjike apo ngacmim, personi menjëherë lëshon lotët dhe pretendon se në fakt ai/ajo po dhunohet e po ngacmohet. Fakti është se ky pretendim del në pah si reagim ndaj akuzës që i është bërë. Njerëzit e pjekur nuk shpërthejnë në lot kur u duhet që të marrin përgjegjësitë e tyre.

Rrëfimtari i rremë

këta njerëz rrëfejnë krime që nuk i kanë bërë, në mënyrë që tërheqin vëmendjen e policisë dhe të medias. Në disa raste, disa njerëz kanë rrëfyer se janë vrasës periodikë, edhe pse nuk sjellin dot prova për krimet e tyre. Shpesh ata rrëfejnë krime, që sapo janë shfaqur në media. Disa individë njihen nga policia si rrëfyes periodikë. Rrëfyesi i rremë është i ndryshëm nga dikush që rrëfehet për një krim si pasojë e presionit emocional ose e metodave të papërshtatshme të hetimit.

E abuzuara

një person pretendon se është viktimë abuzimi, abuzimi seksual, përdhunim, etj, si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen. Krime të tilla si abuzimi dhe përdhunimi janë shumë të vështira për t’u vërtetuar dhe ato ndodhin aq shpesh saqë është shumë e thjeshtë t’i përdorësh për të tërhequr vëmendjen.

Në shumë raste, personi që kërkon të tërheqë vëmendje është një dhunues psikologjik, sjellja e të cilit përputhet me shumë nga karakteristikat e portretit të dhunuesit psikologjik periodik, veçanërisht ai që kërkon të tërheqë vëmendje. Lexoni gjithashtu edhe rreth Çrregullimit të Personalitetit Narcisit.

Të shtirurit si viktimë është diçka shumë e zakonshme tek dhunuesit psikologjikë periodikë. Kjo anë e tyre del në pah pikërisht në momentet që dhunuesi del para përgjegjësisë dhe e ka të pamundur që të shpëtojë ose të mbështetet tek ndihmësit e tij. Taktika mohim-kundërsulm-viktimë përshkruhet shumë mirë tek përshkrimit i dhunuesit psikologjik periodik.

Tërheqja e vëmendjes dhe narcizmi

Ashtu si edhe shumë çrregullime të tjera personaliteti, edhe narcizmi shfaqet në mënyra të ndryshme tek shumë njerëz. Shumë drejtues biznesesh shfaqin narcizëm, po kur narcizmi bëhet i pranishëm më shumë se ç’duhet, fitimet afatshkurtra zëvendësohen nga paqëndrueshmëria afatgjate, e cila mund dhe shpesh çon drejt shkatërrimit.

Nevoja për vëmendje ka rëndësi jetike për personin me çrregullim personaliteti narcisit. Ajo ose ai do të bëjë gjithçka ka mundësi që ta fitojë vëmendjen. Gjatë viteve të fundit, numri më i lartë i telefonatave që i janë drejtuar Linjës Kombëtare për Këshillimin rreth Dhunës Psikologjike në Britaninë e Madhe, ka ardhur nga sektori i institucioneve bamirëse, institucioneve vullnetare, organizatat jofitimprurëse. Në shumicën e rasteve (jo të gjitha) dhunuesi psikologjik është një femër, qëllimi i së cilës është që t’i tregojë botës se çfarë personi i shkëlqyer, i sjellshëm, dashamirës dhe i dhembshur është ajo. Deklarata madhështore, pozicion i dukshëm, ndjeshmëri e papërmbajtur, pjesëmarrje në shumë komisione për kauza të mira, etj, janë elementë të zakonshëm. Megjithatë, qarkullimi i stafit është i lartë, ndërsa morali i ulët ndër ta që bëjnë punën dhe kontaktojnë me klientët.

Comments